Кошничка

Имате 1 информации во вашата кошничка за печатење


 Studentët, por edhe juristët dhe të inkuadruarit në organet e jurisprudencës dhe strukturave tjera shoqërore, duke lexuar dhe analizuar këtë botim, do të krijojnë bindjen se sa i gjerë është horizonti i koncepteve që kanë themeluar “Të drejtën civile”

Nga Prof.dr.Zineta ASANI

“Hyrje në të drejtën civile”, titullohet botimi i ri i Librit universitar i autorit prof.dr.Osman Kadriu, që doli nga shtypi javën e kaluar. Përmbajtja e këtij teksti universitar është e ndarë në dy pjesë. Në Pjesën e parë trajtohen temat hyrëse dhe të përgjithshme të të drejtës civile dhe në Pjesën e Përgjithshme trajtohen në veçanti institucionet thelbësore të kësaj të drejte. Libri në fjalë paraqet një domosdoshmëri të kohës me qëllim plotësimin e kërkesave të arsyeshme profesionale të rretheve universitare në sferën e interesit për shkencat juridike nga fusha e të drejtës civile.

Materia e përmbledhur në këtë tekst universitar fokusohet në kuptimin e objektit të studimit të të drejtës civile, fillimisht duke u ndaluar tek ecuria historike e lindjes dhe evoluimit të kësaj të drejte, periudhën e kodifikimeve moderne të shek 18 dhe 19, si dhe përpjekjet për kodifikimin e kësaj të drejte në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, studimi është fokusuar edhe në specifikat e marrëdhënieve të të drejtës civile të natyrës pasurore tek lëmitë: e drejta sendore, e drejta e detyrimeve dhe e drejta trashëgimore si dhe marrëdhënieve të natyrës jopasurore tek e drejta personale dhe e drejta familjare. Si degë e të drejtës pozitive , e drejta civile është gjithmonë në ecje permanente dhe e përcjell zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.

Studentët, por edhe juristët dhe të inkuadruarit në organet e jurisprudencës dhe strukturave tjera shoqërore, duke lexuar dhe analizuar këtë botim, do të krijojnë bindjen se sa i gjerë është horizonti i koncepteve që kanë themeluar “Të drejtën civile”. Në material është përdorur me mjeshtëri metoda krahasuese, e cila ka kërkuar padiskutim, njohuri të së drejtës së huaj. Botimi i këtij teksti kaq të nevojshëm do të shtojë fondin e bibliografisë juridike mbarëshqiptare në rajon e më gjerë.

Falënderim të veçantë për kontributin e tij akademik, autorit, profesorit të nderuar Osman Kadriu.

Дата: 4/17/2021